NBA/ Antetokounmpo fiton sfidën me LeBron, Westbrook shpërthen me 40 pikë ndaj Clippers

Një mbrëmje me vetëm katër ndeshje në NBA, ku veçohen dy përplasje të mëdha, një mes Los Angeles Lakers e Milwaukee Bucks dhe tjetra mes Houston Rockets dhe Los Angeles Clippers.

Në takimin e parë të zhvilluar në “Fiserv Forum” të Milwaukee-t, skuadra nga Wisconsin fitoi 111-104 përballë kalifornianëve të dyshes së famshme Davis-James. Protagonist asbolut Giannis Antetokounmpo me 34 pikë 11 “rebound” dhe 7 asiste, ndërsa për Lakers nuk mjaftuan 36 pikë të Anthony Davis dhe “triple double” i Lebron, 21 pikë, 12 “rebound” e 11 asiste.

Përtej humbjes, Los Angeles Lakers mbeten në krye të Konferencës së Perëndimit me 3 fitore më shumë sesa Clippers, që gjithashtu nuk arritën të dilnin triumfues përballë Houston Rockets, në takimin e zhvilluar në “Staples Center”.

Teksanet triumfuan 117-122 fale një përmbysjeje fantastike në 20 minutat e fundit të lojës. Vendimtar Russell Westbrook me plot 40 pikë e 10 “rebound”, çka përbën dhe rekordin personal të pikëve me fanellën e Rockets, ndërsa James Harden e mbylli me 28 pikë e 10 asiste, duke marrë rolin e violinës së dytë, të paktën për një natë. Në radhët e Clippers më i miri mbi parket, pavarësisht humbjes, ishte Paul George me 34 pikë, ndërsa Kawhi Leonard realizoi 25 pikë.

Në dy takimet e tjera, Utah Jazz fituan 106-111 në shtëpinë e Atlanta Hawks me 30 pikë të Donovan Mitchell, ndërsa San Antonio Spurs arritën të përmbysnin në pjesën e dytë Brooklyn Nets 118-105, duke mos u dhënë vlerë 41 pikëve të Spencer Dinwiddie. Për Spurs Mills dhe Aldridge realizuan respektivisht 27 dhe 20 pikë.

Rezultatet:

Los Angeles Lakers – Milwaukee Bucks 104-111

Utah Jazz – Atlanta Hawks 111-106

Brooklyn Nets – San Antonio Spurs 105-118

Houston Rockets – Los Angeles Clippers 122-117/Burimi:Supersport.al

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*